Categories: Viral

Goxhaj i UÇK-së: Ushtria turke na ndihmoi duke bllokuar anijet ruse që furnizonin ushtrinë serbe

Në fund të marsit të vitit 1999, përpjekjet e ushtrisë serbe me forcat e UÇK-së, këta të fundit të mbështetur fuqimisht nga ajri e toka nga NATO, krijojnë një front të gjerë lufte. Ushtaraku nga Shqipëria, Dilaver Goxhaj, i emëruar si një nga drejtuesit kryesor të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, ndjenë krenari se në formacionet luftarake në teren, në front, në komanda e në prapavijë janë dhe shumë kolegë të tij e të rinj të ardhur vullnetarisht nga Shqipëria për çlirimin e Kosovës…

28 MARS 1999 MIRËNJOHJE TURQISË

(Pjesë nga ditari i luftës)

Disa ditë pasi u angazhua aviacioni i NATO-s në luftë në Kosovë, Rusia kërkoi që të dërgonte një flotilje detare në detin Adriatik për të përforcuar izolimin e UÇK-së, jo vetëm për furnizime me armatime e municione, por edhe me ushqime. Kjo kërkesë e rusëve u dha nga të gjitha agjencitë e lajmeve, ndaj dhe na tërhoqi vëmendjen edhe neve në Shtabin e Përgjithshëm, pasi ajo deklaratë e Rusisë u duk që u dha zemër ushtarëve serbë. Për këtë arsye, Shefi i Shtabit të UÇK-së, zoti Bislim Zyrapi, një mesnatë, në fund të muajit mars 1999, po bënte një bisedë telefonike herë në gjuhën shqip dhe herë në atë boshnjake me një person me përgjegjësi në Turqi, të cilit i kërkonte të ndërhynte pranë Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Turke, që të bënte të mundur ndalimin ose vonimin e kalimit të asaj flotilje ruse nëpër Dardanele.

Mua më tërhoqi vëmendjen biseda, që zhvillohej herë në një gjuhë e herë në tjetrën, ndaj dhe po e ndiqja i përqendruar. Vura re se personi në anën tjetër të telefonit e quante të mundshme atë kërkesë, por ai nuk mund të gjente arsye se si mund të ndërhynte, sepse ishte i një shteti tjetër.

Në këto momente unë e pyeta Bislimin se më kë po fliste, dhe ai më shpjegoi qëllimin e bisedës dhe se po fliste me atasheun ushtarak boshnjak, gjeneralin Ismail Pasha, me origjinë shqiptare, me të cilin kishin luftuar së bashku në Bosnjë. Në moment unë u kujtova se në Turqi Shqipëria kishte dërguar atashe ushtarak Kolonelin Hajro Limaj, me të cilin njihesha. E luta Bislimin që të më lejonte të bisedoja me gjeneralin boshnjak dhe ai, pasi më prezantoi me të, më dha telefonin.

Pasi u përshëndeta me gjeneral Ismail Pasha, e pyeta në se ai e njihte atasheun ushtarak të Shqipërisë, Kolonel Hajro Limaj. Ai m’u përgjigj se jo vetëm që e njihte, por edhe e kish shok. Kjo më ngrohu dhe i kërkova mundësinë të më lidhte me Hajron. Ai më tha se nesër në mëngjes në ora 08.00 mund ta merrnim në këtë numër telefoni dhe të mund të bisedonim me Hajron.

Kuptohet se ora 08.00 erdhi shpejt, pasi kjo bisedë u zhvillua më shumë se një orë pas mesnate. Në ora 08.00 u lidhëm me Kolonel Hajron dhe pasi ia shpjeguam kërkesën tonë, ai na premtoi se do ta konsumonin kërkesën tonë me drejtuesit kryesorë të Ushtrisë Turke. Pas disa orësh na morri në telefon dhe na dha sihariqin se komanda e ushtrisë turke do të shfrytëzonte të gjitha klauzolat që mund të kishin konventat ndërkombëtare për këto lëvizje dhe nuk do të lejoheshin të kalonin anijet luftarake ruse.

Dhe ashtu ndodhi. Turqisë duhet t’i jemi mirënjohës për atë ndihmë të sinqertë në atë moment të vështirë për UÇK-në dhe luftën në Kosovë, vetëm me një kërkesë verbale. Ndoshta mund të jetë rast unikal në botë, që një shtet të plotësoi një kërkesë të këtij lloji vetëm me një fjalë goje.

Por duhet t’u jemi mirënjohës edhe dy atasheve ushtarakë shqiptarë, të cilët, ndoshta edhe jashtë rregullave protokollare, duke rrezikuar edhe vendin e tyre të punës prej diplomati, e morën përsipër një kërkesë me aq përgjegjësi e me pasoja ndërshtetërore.

Nuk dua të zgjatem se si u realizua ajo nga miqtë tanë turq në atë luftë, por me këtë dua të them se ishte faktori shqiptar që e mundësoi faktorin e jashtëm të ndalonte kalimin e asaj flotilje. Ishte faktori i brendshëm UÇK që e mundësoi faktorin NATO dhe SHBA që të radhiteshin në krahun tonë për çlirimin e Kosovës.

I KTHEVA BORXHIN KARADAKUT

(Tërpezë, Viti, 24.07.1999)

Disa ditë pasi Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së u zhvendos nga fshati Divjakë i Malit të Berishës, (ku e zuri mbarimi i luftës) dhe ishte sistemua në qytetin e Prishtinës, me urdhër të Ministrit të Mbrojtjes të QPK, Azem Syla, transferohem në detyrën e Shefit të Kabinetit të tij. Aty nga data 20 korrik 1999 Ministrit i vjen një ftesë prej Komunës së Vitisë, me të cilën ftohej të merrte pjesë në mitingun e madh përshëndetës që do të mbahej në 24 korrik në fshatin Tërpezë, për t’i uruar mirëseardhjen patriotit Hysen Tërpeza, i cili kthehej në Atdhe pas 54 vjet emigrim. Kur ia paraqita ministrit ftesën, ai më tha që ta kujtoja një ditë para mitingut.

Ashtu edhe veprova. Por, kur e kujtova për këtë aktivitet, prezent ishte edhe zëvendësministri Ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, Fatmir Limaj. Ministri më tha që të shkoja e ta përfaqësoja unë, duke e mirëseardhur dhe t’i transmetoja edhe dëshirën e Ministrit për të ardhur një vizitë në Prishtinë. Unë, duke mos e njohur deri atëherë figurën e Hysen Tërpezës, iu luta që të caktonte një person tjetër që e njihte jetën dhe veprimtarinë e Hysen Tërpezës. “Jo,jo. Ju do të shkoni. S’ka gjë pse nuk e ke njohur, edhe unë nuk e kam njohur. Nuk ta kam frikën. Ju të Shqipnisë dini e flisni në kësi rastesh. Madje do të bëje edhe më shumë efekt edhe në popullin e asaj krahine shkuarja e një vullnetari nga Shqipëria për të mirëseardhur Hysen Tërpezën”,-këmbënguli Ministri.

Në këtë moment ndërhyn Fatmiri dhe sugjeroi që të shkonim së bashku. Me kaq mendova se u zgjidh edhe ai siklet që kisha. Me Fatmirin lamë edhe orën e nisjes për të nesërmen, në ora 09.00. Mitingu niste në ora 10.00.

Të nesërmen, duke pritur z. Fatmir, kaloi ora 09:00. Nisa një nga rojet e Ministrisë që ta njoftonte në shtëpi, pasi për fat të mirë e kishte apartamentin në pallatin në trotuarin përballë Ministrisë së Mbrojtjes, ku sot është Siguria Kosova. Ushtari erdhi dhe më solli përgjigjen e zëvendësministrit se, ngaqë i kish dalë një punë e ngutshme, më duhej të shkoja pa atë.

U nisa, duke pasur për shofer djalin tim, i cili pat qenë edhe ai i angazhuar në atë luftë. Por unë e dija se vetëm një Tërpezë ekzistonte në Kosovë, ajo e Malishevës. Ndaj dhe u nisa për atje, duke shkuar drejt Fushë Kosovës. Kur mbërrij në Fushë Kosovë, im bir më pyet edhe një herë: Në Viti apo në Malishevë zhvillohet mitingu? Në Viti, iu përgjigja unë. Por duhet të kthehemi prapa, më tha ai, pasi Vitija është matanë Ferzajt. Dhe u kthyem, duke menduar që t’i binim shkurt, nga Graçanica, me mendimin se KFOR-i nuk do të na pengonte nga që kishim dokumentet përkatës të lëshuar prej tij. Mirëpo ushtarët anglezë që ishin në Graçanicë as që donin të dinin për dokumentin që vetë ata e kishin lëshuar. Nuk na lanë të kalonim, prandaj na u desh të ktheheshim edhe një herë prapa. Mirëpo, kjo solli shkuarjen me vonesë në miting.

Kur mbërritëm ne, kishin filluar përshëndetjet si dhe koncerti. Na u desh ta linim makinën shumë larg,për arsye se kish shumë popull, gati e gjithë krahina e Karadakut, mbledhur në Tërpezë. M’u deshën jo më pak se dhjetë minuta që të mbrija te tribuna, ngritur në oborrin e shkollës, ku ishte rregulluar z. Hysen Tërpeza dhe shokët e Komunës.

Me të mbërritur dhe me të takuar z. Tërpeza, më afruan një vend pranë tij. Nuk kisha mbaruar ende përcjelljen e plotë të porosive të Ministrit te z. Hysen, kur prezantuesi i mitingut foli në mikrofon: “Tash e përshëndet mitingun Koloneli nga Shqipëria, i cili ka qenë vullnetar dhe ka luftuar me ne për çlirimin e Kosovës, duke qenë antar i Shtabit të Përgjithshëm i UÇK-së dhe zëvendës shef i atij shtabi”.

U befasova, për arsye se jo vetëm që nuk kisha menduar më parë se çfarë të flisja, por edhe gjatë rrugës për në Tërpezë nuk pata kohë të mendoja, pasi na u desh të ndalonim e të pyesnim në çdo kryqëzim rrugësh, se cila rrugë të çonte në Tërpezë. Duke shkuar nga vendi ku rrija ulur për te mikrofoni, vendosa që të them diçka që populli të duartrokiste dhe gjatë asaj kohe të mund të sistemoja mendimet. Dhe ashtu bëra:

Popull heroik i Komunës së Vitisë dhe i tërë krahinës së Karadakut, jam shumë i gëzuar që më jepet rasti të përshëndes këtë miting kaq madhështor në emër të Ministrit të Mbrojtjes së Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, zotit Azem Syla. I uroj mirëseardhjen plakut nacionalist të Luftës së Dytë Botërore, zotit Hysen Tërpeza, i cili kthehet në vendlindjen e vet, këtu në Tërpezë, pas 54 vjet emigracion si dhe u uroj gjithë popullit të krahinës së Karadakut: Ta gëzojmë lirinë! I uroj Bacës Hysen jetë sa më të gjatë në Kosovën e lirë, duke u gëzuar që më në fund Ushtria Çlirimtare e Kosovës e bëri realitet ëndrrën e tij dhe të brezit të tij, duke e çliruar Kosovën një herë e përgjithmonë nga pushtuesi serb, e cila është faza e parë e asaj lufte. Faza e dytë është bashkimi. Prita sa pushuan ovacionet dhe duartrokitjet.

Është hera e parë në jetë time që më jepet rasti të flas para një mase dhjetëra mijëra njerëzish dhe kjo më jep kënaqësinë që ky rast më jepet të flas para popullit të një krahine të Kosovës, e cila ka një lidhje të hershme me krahinën nga unë jam.

Prezantuesi i këtij tubimi kaq madhështor, kur më prezantoi mua, midis të tjerash tha: “Tashti mitingun e përshëndet koloneli nga Shqipëria, Shpëtim Golemi”. I faleminderit për fjalët e mira që tha ndaj meje, por unë mendoj se ai, ndoshta nga entuziazmi bëri një lapsus të vogël, duke thënë për mua se, “unë vij nga Shqipëria”. Mendoj se gaboi. Unë e di se dhe këtu ku jemi mbledhur sot quhet Shqipëri, apo jo?.

Përsëri m’u desh të prisja të pushonin duartrokitjet.

Unë jam shqiptar si dhe ju, por jo nga krahina e Kosovës, por nga një krahinë tjetër e Shqipërisë, nga viset jugore të saj, nga Labëria heroike, dhe më bëhet zemra mal që ju kini organizuar këtë tubim, duke nderuar dy brezat e luftërave çlirimtare shqiptare, ku përfaqësues i luftëtarëve të brezit të Luftës së Dytë Botërore është zoti Hysen Tërpeza, dhe ne që jemi mbledhur këtu, përfaqësuesit e luftës më të re çlirimtare.

I uroj Bacës Hysen të jetojë sa më gjatë në Kosovën e çliruar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, në bashkëveprim luftarak me forcën ushtarake më të madhe të kohës, NATO-n. Rroftë UÇK-ja!

Tashti besoj se do të më duroni edhe një minutë, për t’u treguar edhe një sekret të vogël rreh shkakut të ardhjes sime në radhët e UÇK-së dhe sot këtu, në këtë miting.

Para se të fillonte Lufta Nacionalçlirimtare e Shqipërisë. Bëhet fjalë gjat Luftës së Dytë Botërore, në krahinën time të Kurveleshit të Labërisë kish ardhur një djalë i krahinës tuaj, qysh gjatë viteve ’30-të, i cili kërkohej nga qeveria e Krajlit të Serbisë, ndaj dhe ishte strehuar në fshatrat e krahinës nga unë jam. Kur filloi Lufta Nacionalçlirimtare, ai ishte ndër partizanët e parë të Çetës Partizane të Kurveleshit e të gjithë Labërisë, çeta e dytë partizane pas asaj të Myslim Pezës, e krijuar në 1 prill të vitit 1942.

Më vonë, me krijimin e Brigadës së Parë Sulmuese, ai, së bashku me babanë dhe dy dajat e mi, u inkuadrua vullnetarisht në atë formacion të madh partizan, dhe ra heroikisht në Qafën e Gjarprit, kur u kthye nga punimet e Kongresit të Përmetit pasi ishte delegat i Brigadës së Parë Sulmuese, dhe u vra në të njëjtën llogore me njërin prej dajave të mi. Menjëherë mbas lufte, ai djalë i krahinës tuaj u shpall Heroi i Popullit, nga Kuvendi Popullor i Shqipërisë.

Heronjtë e parë të Popullit të shpallur nga Parlamenti Shqiptar në janarin e vitit 1946, ishin tre. Dhe kush ishin ata të tre, se? Dy nga Kosova juaj dhe një nga Labëria ime. I pari ishte Isa Buletini, krahu i armatosur i Qeverisë së Ismail Qemalit. Edhe i dyti ishte po prej Kosove, i cili njihej dhe njihet me emrin e krahinës tuaj Karadaku, por që emrin e dhënë nga nëna Kosovare e kishte Xheladin Beqiri, komandanti i çetës “Hajredin Tremishti” të Kurveleshit.

Dhe, i treti ishte shoku më i ngushtë dhe bashkëluftëtari i Karadakut, komisari i asaj çete ku komandant ishte Karadaku, labi Asim Zeneli, rënë në 2 korrik 1943, në Grykën e Mezhgoranit, ku para trupit të tij u betua komandant Karadaku: “Fli i qetë Asim, se hakun do ta marrim, gjakun që derdhe ti për Shqipëri, shtrenjtë do ta paguaj fashist italiani, ti je një hero për liri”.

Sikundër e shihni, unë nuk kam bërë asgjë më shumë, vetëm se i ktheva borxhin Karadakut, duke i marrë hakun sipas betimit të tij.

Lavdi dëshmorëve shqiptarë të të dy luftërave çlirimtare!

Lavdi Ushtrisë sonë Çlirimtare!

Rroftë Kosova e Lirë!

(Kur u ktheva për t’u ulur, Bacën Hysen e gjeta tek përlotej).

“VULLNETARI I LIRISË”

Këtë emër ka shoqata e luftëtarëve shqiptar që shkuan në luftë për çlirimin e Kosovës. Më pyetën në radion ‘Kosova e Lirë’ për këtë shoqatë… Ju përgjigja: Në shoqatën tonë, të cilën e kemi emërtuar ‘Vullnetari i Lirisë’ bëjnë pjesë vullnetarët nga trevat shqiptare jashtë kufijve administrativë të Kosovës, si dhe nga diaspora jonë e të huaj, që iu përgjigjën thirrjes së Qeverisë së Përkohshme të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për çlirimin e Kosovës prej pushtuesit shekullor. Gjithashtu, në këtë shoqatë bëjnë pjesë të gjithë ata vullnetarë, që nuk kanë qenë qytetarë të territoreve ku u krijuan dhe luftuan UÇPMB-ja dhe Ushtria Çlirimtare Kombëtare dhe, që mbushën radhët e tyre. Nëpërmjet kësaj shoqate dhe gazetës së saj, me të njëjtin emër, do të zgjojmë nga gjumi mbrojtësit e statukuosë së heshtjes hermetike të institucioneve shtetërore e politike të Tiranës dhe Prishtinës ndaj vullnetarëve që shkuan në luftën për çlirimin e Kosovës e të trevave të tjera shqiptare, me mesazhin se do të jetë në nderin e tyre e të historisë sonë, në rast se e vlerësojnë kontributin e vullnetarëve të lirisë. Eshtë vepra e këtyre vullnetarëve të të gjitha trevave shqiptare dhe të diasporës sonë të hershme e të tashme, që e ngacmoi ndërgjegjen kombëtare, për zëvendësimin ndërgjegjes së internacionalizmit proletar, (që ka mbizotëruar te shqiptarët deri në fillim të viteve ’90-të), si dhe ndërgjegjen e globalizmit, (që ekziston te politikanët tonë sot), me ndërgjegjen kombëtare shqiptare të hershme, e cila ka ekzistuar në luftërat e Skënderbeut, Lidhjen e Prizrenit e deri në përfundimin e Rilindjes sonë e që u manifestua triumfalisht në Kongresin e Lushnjes, e sidomos në zbatim të vendimeve të tij, ku idealizmi kombëtar i treguar në atë vit të zbatimit të atyre vendimeve bëri më shumë se ç’kishin bërë shqiptarët gjatë më shumë se 10 shekujve më parë….”.

admin

Recent Posts

A very rare black leopard was spotted in an Indian wildlife park… Scroll down for the video of this unusual beauty…

In India’s Tadoba National Park, a highly secretive black leopard was recently spotted. The beautiful…

3 months ago

People who say they hate pets but later regret it… See their adorable photos below…

Bringing a new pet into your home isn’t always an easy decision, especially if someone…

3 months ago

After being adopted, a blind abandoned kitten can’t stop hugging her new father… See appreciating photos of kitten below…

A kitten, later named June, was spotted by a good citizen in Cape Town, South Africa,…

3 months ago

The saddest cat in the world is now unrecognizable… Read on here to know who is responsible for the change…

Meet BenBen, the Internet’s saddest cat. The kitten was spending his days in an animal…

3 months ago

Cats who nail it when it comes to the reality of our professional lives… Watch the most hilarious photos here…

These kitties have a complete understanding of how we feel about our jobs. Oh my,…

3 months ago

A lonely truck driver takes in an abandoned stray cat…

Meet Paul Robertson and his cat Percy, who are the sweetest couple you’ll ever meet.…

3 months ago