Intervista-Ushtarakët shqiptarë në UÇK
Rrëfim i kolonel Dilaver Goxhajt, Zëvendësshefi i Shtabit të UÇK-së: Përgatitja dhe realizimi i Operacionit ‘Shigjeta’ në prill të vitit 1999. Roli i Shtabit të Përgjithshëm i UÇK-së, drejtuesve Agim Çeku, Bislim Zyrapi dhe Shpëtim Golemi në këtë operacion luftarak. Ndikimi i sulmeve të NATO-s nga ajri në shtimin e radhëve të UÇK-së dhe sukseset në përballjen tokësore me ushtrinë serbe.
Ndërhyrja e forcave të NATO-s me sulme nga ajri, ndikoi dukshëm jo vetëm në shtimin e radhëve të UÇK-së me vullnetarë, por dhe rritjen e numrit të veprimeve luftarake të forcave në terren. Sipas kolonel Dilaver Goxhajt (Shpëtim Golemi), një nga drejtuesit e Shtabit të UÇK-së, hartimi dhe zbatimi i Operacionit ‘Shigjeta’ në prill të vitit 1999 që rezulton Plani i Parë Luftarak i hartuar në mënyrë profesionale dhe me dokumentacion të plotë, është veprimtaria e parë luftarake e shkallës operative që planifikon, organizon dhe drejton Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së… Në rrëfimin e tij në vazhdim, kolonel Goxhaj shton se në këtë operacion morën pjesë 12 mijë luftëtarë, ndërsa suksesi i tij u diktua dukshëm dhe nga prapavija e sigurt që ishte kufiri shtetëror shqiptar në rajonin e Kukësit…
Që në nisje të luftimeve në terren nga forcat e organizuara shtë folur shumë rreth një operacioni, i emërtuar “Operacioni Shigjeta”. A mund të na e tregoni diçka?
-Operacioni i njohur me emrin “Shigjeta” është Plani i Parë Luftarak i hartuar në mënyrë profesionale dhe me dokumentacion të plotë, është veprimtaria e parë luftarake e shkallës operative që planifikoi, organizoi dhe drejtoi Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. Ai plan u hartua në kohën, pasi ishin krijuan kushtet e përshtatshme politiko-ushtarake, të cilat u plotësuan në gjysmën e dytë të prillit 1999, kur forcat tona, që kishin shpërthyer kufirin në Koshare qysh në datën 8 prill, nuk kishin mundur të hapnin ende korridorin për ardhjen e forcave, armatimeve dhe municionit që qenë grumbulluar në shtetin amë, rreth 12 mijë vullnetarë nga diaspora shqiptare dhe tërë trojet tona, në përgjigje të Thirrjes së Qeverisë së Përkohshme të Kosovës për mobilizim të përgjithshëm, lëshuar më 02 Prill 1999.
Në këtë kohë, ishin futur në veprim forcat e NATO-s?
-Po. 2-3 ditët e fundit, gjatë punës së hartimit të atij plani, aviacioni i NATO-s kish filluar të kryejë veprime luftarake në interes të forcave të UÇK-së në terrenet, të cilat kryenin sulme të njëpasnjëshme, duke bashkëpunuar Shtabi i NATO-s në Kumanovë drejtpërsëdrejti me ne, me Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së. Radhët e formacioneve të UÇK-së, brenda territorit të Kosovës, kishin arritur shifrën rreth 20 mijë luftëtarë, gjë që na ishte mundësuar të intensifikonim luftimet, (madje kemi pasur edhe veprime luftarake të nivelit taktiko-operativ, si ai i datës 31 mars dhe 1 Prill). Mirëpo na qenë shteruar nevojat për armatim, municione dhe furnizime të tjera të domosdoshme për luftën. Plotësimi i këtyre furnizimeve ishte nevojë urgjente, duke shfrytëzuar edhe momentin ku e gjithë diplomacia ndërkombëtare kish filluar të mbështeste luftën tonë të drejtë.
Kur përfundoi dhe kush ishin hartuesit e Planit Luftarak ‘Shigjeta’?
-Hartimi i Planit Luftarak për Operacionin “Shigjeta” përfundoi në datën 17 prill 1999, në kushtet e një të ftohti të acartë, ku bora nuk rreshti asnjë ditë. Plani u hartua i plotë, në tekst, prej anëtarëve të SHP të UÇK-së: Shpëtim Golemi, Ekrem Rexha (Komandant Drini) dhe Agim Çeku, i i cili vetëm disa ditë para se të hartonim planin e operacionit kish ardhur në Kosovë. Plani u shkrua me dorë nga unë. Për hartë kishim vetëm një kopje, 1:50.000, të cilën e ruanim si dritën e syrit. Drini e njihte shumë mirë terrenin ku do të zhvillohej operacioni, jo vetëm se ishte nga Prizreni, por gjatë gjithë vitit 1998 pati luftuar në atë zonë si komandant i formacioneve të para të atij rajoni dhe më pas komandant i Zonës së Dytë “Pashtriku”, deri në fillim të Marsit 1999, kur ishte zëvendësuar nga Tahir Sinani.
Ku u hartua ky plan?
-Puna për përpilimin e Operacionit “Shigjeta” u bë në shtëpinë e Bajram Sylës, në Mëhallën e Katundit të fshatit Jezercë, në malin Jezercë të Ferizajt. Ajo që armikut nuk i shkonte ndërmend, ne ndodheshim jo më larg se një kilometër prej majës së malit Bukogllavë, ku ushtria serbe kish përqendruar një sasi forcash, pasi atje kishte radion ritransmetuese të forcave të tij në Kosovë. Në veprimet luftarake të Operacionit Shigjeta u përfshinë edhe veprimet luftarake të zhvilluara nga forcat që sulmuan në Koshare dhe të cilat ishte menduar të kalonin së shpejti në vartësi të Zonës së Tretë Operative të Dukagjinit, duke u emërtuar Brigada 138. Ato ishin rreth 800 forca, nën komandën e Rustem Berishës. Në shtëpinë ku ishte kjo pjesë e Shtabit të Përgjithshëm, qëndroi fillimisht edhe një pjesë e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, me në krye Kryetarin e saj, njëkohësisht ai dhe Komandant i Përgjithshëm i UÇK-së, Hashim Thaçi. Për gjetjen e asaj shtëpie na u desh të bënim dy ditë rikonjicion unë dhe komandant Drini, ndërkohë që Qeveria dhe Bislim Zyrapi me një pjesë të Shtabit vijonin të rrinin në Devetak të Jezercit. Plani u hartua në tekst prej meje dhe Drinit dhe u hodh në hartë 1:100 000 nga Safet Syla, Shefi i Ndërlidhjes pranë Sh.P., dhe Mustafa Gashi, shkrues-evidencieri i Shtabit, ndërsa e radhiti në kompjuterin llaptop Lum Haxhia. U printua në një kopje të vetme, pasi ishte Tepër Sekret. Ato ditë mbërriti nga Drenica edhe Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm i UÇK-së, z. Sulejman Selimi (Sulltani), i cili bëri miratimin e planit, ndërsa në fund të planit nënshkroi Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, z.Bislim Zyrapi. Materiali i përpunuar me dorë u dogj në prezencën time, Mustafa Gashit dhe Lum Haxhisë, si dhe u shuajt edhe nga kompjuteri.
Cili ishte në vazhdim fati i Planit ‘Operacioni Shigjeta’?
-Fillimisht, me propozim të Bislim Zyrapit pranë Kryetarit të Qeverisë z. Hashim Thaçi, dhe Komandantit të Sh.P, Sulejman Selimi, komandant Operacioni emërohet Nexhmedin Kastrati, urdhëri i të cilit kish dalë dhe ishte firmosur nga vetë z. Hashim Thaçi dhe Sulltani. Këtë e mësova nga antari i shtabit, inxhinieri kimist Kurtesh Fondaj. Kur ma tha, ishte ora 02.00, kur shkova të pushoja në dhomë, ku ishim unë dhe Kurteshi. Unë reagova ashpër, duke i thënë se vetëm Nexhmedini nuk duhet të shkojë të kryejë atë detyrë, pasi ai na ka dezertuar nga Zona e Pashtrikut, të cilin, ti e di që na e kërkon çdo ditë Tahir Sinani në telefon që t’i bëjë gjyqin, pse la detyrën e Shefit të Shtabit të Zonës dhe, në vend që të kalonte me forcat e tjera të zonës, nga Berisha në Pagarushë, ai na shkoi në Zonën e Nerodimës. Pastaj ai në Bosnjë detyrë nënoficeri ka kryer dhe jo të drejtoi operacionin më të madh në historinë e UÇK-së. Mirë, mirë, më tha Kurteshi, por unë të sugjeroj që mos merresh me këtë punë, pasi Nexhmedini është tezak i Drinit dhe ti e sheh që është Drini ia që ia ka sugjeruar Bislimit. Por unë vesha këpucët dhe u nisa për të kontaktuar fillimisht me Bislimin. Ishte rreth orës 02.30. Zbrita në katin përdhes të shtëpisë dhe zgjova Bislimin, duke i shprehur këto mendime. Bislimi ma kundërshtoi, duke më thënë se Nexhmedini ka fituar përvojë nga lufta në Bosnjë. Por edhe unë e kundërshtova, pasi ai më pat treguar vetë se në Bosnjë Nexhmedini kish luftuar pothuajse si ushtar i thjeshtë, si dhe i trajtova problemin me Tahirin. Pasi u bind edhe Bislimi, më pyeti se cilin unë mendoja që të caktohej komandant i atij operacioni. I thashë se atë detyrë mund ta kryente vetëm ai, Bislimi dhe askush tjetër. Ty, i thashë, je bërë publik për gjithë luftëtarët e UÇK-së, si për këta që janë këtu edhe për ata që ikën në Shqipëri gjatë vitit 1998. Ti, shtova, e ke fituar besimin e gjithë UÇK-së, prandaj ty duhet të shkosh e të marrësh drejtimin e atij operacioni. Vullnetarët e ardhur ga tërë anët e botës, vetëm emrin tënd njohin dhe të Ramush Haradinajt. Në këto argumente më mbështeti edhe Sokol Dobruna, Drejtori Juridik i Sh.P., ndërsa Drini, Valbona dhe Shqipja dëgjonin, por nuk merrnin pjesë në bisedë. Bislimi, pasi u mendua e u mendua, më tha: Mirë e ke ti, Shpëtim, por unë as nuk mund ta bëj një veprim të tillë, të shkoj e të them, më dërgoni mua ta drejtoj operacionin “Shigjeta”. Atëherë, i thashë, nëse je dakord, ma lër mua ta zgjidh këtë punë. Dhe ai pranoi.
Diçka më konkrete?
-Shkova në dhomën ku flinin Sulltani, Kadri Veseli (Luli) dhe Agim Çeku. Ajo dhomë ishte njëkohësisht edhe kuzhina e shtabit. Ata ishin shtrirë në sfungjerë, me kokë nga muri. Shkova dhe u ula midis Sulltanit dhe Lulit, duke u rënë lehtas në supe. Ata u zgjuan menjëherë dhe tërë shqetësim. Porsa u ngritën ndenjur, u shpjegova arsyen e ndërrimit të komandantit të operacionit “Shigjeta”. Ndër kohë u zgjua dhe Agim Çeku, por nuk merrte pjesë në bisedë. Pasi i kisha zgjuar këta, në kuzhinë hyri Mustafa Gashi dhe ju afrua zjarrit, gjoja se po merrej me të, por me sa kuptova erdhi të dëgjonte bisedën. E kish nga vetja apo e dërgoi Bislimi, nuk mund ta them, por di që halla e Mustafait ishte e martuar me xhaxhanë e Bislimit. Erdhi radha për të vendosur për personin që do të drejtonte këtë operacion…
Kush e drejtoi këtë operacion?
-Pasi i hodha të gjitha argumentet e mia, Luli propozoi që, për të drejtuar operacionin të shkonte Bardhyl Tahiri ose unë. E kundërshtova për vet faktin se, nëse shkonte një nga ne, ishte njësoj sikur të ngarkohej me atë detyrë një anëtar i Shtabit të Përgjithshëm i Ushtrisë Shqiptare, gjë që e kompromenton Shqipërinë. E pranuan argumentin. “Po për cilin mendon ti, atëherë?”, më pyeti Luli por edhe Sulltani. Unë mendoj, u thashë, ose të shkoi Agim Çeku, i cili ka përvojën e luftës në Kroaci dhe ende nuk është ngarkuar me detyrë tjetër, si dhe është edhe një nga autorët e hartimit të atij plani dhe e ka më se të qartë detyrën, ose të shkoi Bislim Zyrapi dhe u përsërita ato çka kisha konsumuar me vetë Bislimin, por pa u treguar se unë kisha folur më parë me Bislimin.
Si reagoi Agim Çeku?
-Agimi nuk reagoi. Pas një pauze të shkurtër, ishte Luli që më tha se vallë pranonte Bislimi? Atëherë, u thashë unë, ma lini mua ta konsumoj me Bislimin. Dhe ashtu u bë. Shkova në dhomën tjetër, pas meje erdhi edhe Mustafa Gashi, dhe ia thashë Bislimit mendimin e tyre, që ishin dakord që atë detyrë ta merrte Bislimi, në rast se ti Bislim nuk ke kundërshtim. Pasi Bislimi ra dakort, shkuam të dy në dhomën tjetër dhe u vendos që ajo detyrë t’i ngarkohej Bislimit. Zgjova Shqipen nga gjumi, arkivisten e Shtabit, njëkohësisht e kunata e Mustafa Gashit, më dha urdhrin e Hashimit e të Sulltanit, ku caktohej Nexhmedin Kastratin për udhëheqës Operacioni “Shigjeta”. Mbi shkresën e atij urdhri shkruam me ngjyrë të kuqe dhe me shkronja të mëdha “Anulohet”, dhe hartuam urdhrin tjetër, duke ngarkuar Bislim Zyrapin për organizimin dhe drejtimin e atij operacioni. Këtë urdhër e hodhi në kompjuter dhe e printoi Lum Haxhia dhe e nënshkroi Sulejman Selimi, i cili ende ishte Komandant i Shtabit të Përgjithshëm i UÇK-së, ndërsa pas disa javësh emërohet Komandant i Gardës Kombëtare.
Pas disa ditësh, mblidhte Qeveria, e cila ishte në Pjetërshticë, dhe vendos që Bislim Zyrapi emërohet ndihmës Ministër i Mbrojtjes, ndërsa në vendin e tij, Shef i Shtabit të Përgjithshëm emërohej Agim Çeku. Këtu nis misioni i rëndësishëm i Bislim Zyrapit në Shqipëri…
Cili ishte ky mision?
-Para se Bislim Zyrapi të nisej për në Shqipëri, u urdhëruan Komandantët e Zonave të dërgonin në Shtab ose drejtpërsëdrejti për në Kukës disa kuadro nga më me përvojë, për të drejtuar rendimet luftarake që do të realizonin atë operacion. Kur Bislim Zyrapi dhe grupi i kuadrove që e shoqëronte arritën pranë Komandës së Divizionit të Kukësit, pranë aparatit të faksit, unë bëra faksimin e Planit të Operacionit.
Cila ishte ideja e ‘Operacionit Shigjeta’?
-Ideja e Operacionit Shigjeta ishte: Thyerja e mbrojtjes së ushtrisë serbe në kufirin me Shqipërinë; depërtimi sa më shpejt i forcave tona në thellësi të territorit të Kosovës në drejtimin më të shkurtër: Qafa e Prushit – Rahovec; vendosja e kontaktit me forcat e Zonës së Dytë Operative të Pashtrikut dhe krijimi dhe mbajtja e korridorit të përhershëm me Shqipërinë për sjelljen e furnizimeve me forca e mjete, në interes të rendimeve të UÇK-së në Kosovë.
Si vijuan më tej punët?
-Duke parë që forcat e ardhura vullnetare nga gjithë diaspora nuk ishin përgatitur për të luftuar, Bislim Zyrapi organizoi stërvitjen intensive të tyre. Por koha nuk priste. Prandaj u pa e arsyeshme që të nisej për Shqipëri edhe Fatmir Limaj. Erdhi momenti të nisë operacioni?
Kur nisi dhe sa zgjati ‘Operacioni Shigjeta’?
-Forcat kryesore hynë në luftim në 26 maj 1999, duke filluar sulm të njëkohshëm në të tre drejtimet e planifikuara. Në atë operacion u angazhuan 8 000 forca. Goditja kryesore u parashikua dhe u dha në drejtimin: mali Pashtrikut – Krushë dhe ajo ndihmëse në dy drejtime: qafa e Prushit – Rahovec dhe Gorozhup – Krushë. Për hapjen sa më të shpejt që të ishte e mundur të korridorit të furnizimit, u hartua Plani Operacionit “Shigjeta 2”, i hartuar nga unë dhe Xhavit Sadria. Ky plan u miratua nga Shefi i Sh.P. të UÇK-së, Agim Çeku, dhe u ngarkua ta vinte në zbatim Komandanti i Zonës së Dytë Operative “Pashtriku”, Tahir Sinani. Operacioni zgjati dy javë.
In India’s Tadoba National Park, a highly secretive black leopard was recently spotted. The beautiful…
Bringing a new pet into your home isn’t always an easy decision, especially if someone…
A kitten, later named June, was spotted by a good citizen in Cape Town, South Africa,…
Meet BenBen, the Internet’s saddest cat. The kitten was spending his days in an animal…
These kitties have a complete understanding of how we feel about our jobs. Oh my,…
Meet Paul Robertson and his cat Percy, who are the sweetest couple you’ll ever meet.…