Categories: Viral

Maja e Shkodranit, Thaçi e drejtonte në atë kohë nga Gjakova, vikaste nga gëzimi

Nga Sefer Pasha

Gjueti kujtimesh të mbledhura që nga Maja e Shkodranit, ku mali i Rahovecit u shfronësua dhe pa u denatyruar e bekoi me emrin e lashtë sa bota dëshmorin e UÇK – së Arjan Brahimin nga qyteti i Shkodrës.

Në vitin 1999 Arjan Brahimi ishte 21 vjeç. Nga Shkodra shkoi emigrant në Gjermani dhe me nisjen e luftës për çlirimin e Kosovës grahu dhe iu bashkua shtabit të luftës në Rahovec. Mjaftoi një predhë e artilerisë serbe sa një gjysëm ahu dhe Arjan Brahimi u bë pluhur. Nëna, Havaja, nuk e beson. Ditën që e nisi të birin për në kurbet në Gjermani i hodhi mbas shpinës një kokërr mollë për mbarësi sipas zakonit. Pas vrasjes së Arjanit në Kosovë Havaja e tretur nga malli në rrugicën e vjetër në Shkodër e kërkon atë kokrrën e mollës së kuqe. Familjarët kërkojnë që të bëhet ADN-ja e tokës. Kur ndodhesh tek Lugu i Gjeraqinës dhe kundron rrëketë e fjalëve me pirgje tregimesh nuk e ndan dot jetën e Arjanit nga legjenda e shpërgënjtë e gjuhës së përrallave. Predha serbe e bëri fije – fije librin autobiografik që do ta shkruante me muzën e tij Arjan Brahimi e që do të ishte prozë e situr dhe kronikë në vargje në kohën e mëpasme.

Trandjet dhe tragjedinë biblike e panë trumba – trumba shpendët e malit . Dhe Arjani u kthye në një magji të këndëshme dhe hyjni mitologjike për vizitorët e shumtë që shkojnë orë e minutë tek Maja e Shodranit, paçka se ai nuk ishte biri natyror i Rahovecit. Ishte luftë dhe shkodranin Arjan Brahimin nuk e linin betejat të tregonte në komandën e UÇK -së detaje nga jeta vetjake. Askush nuk e di se si i mposhti Arjan Brahimi me njësitin e UÇK -së forcat ushtarake serbe. Mbeti pa gojë dhe i mbaroi toku i urdhërave gjeneralit serb, i cili drejtonte që nga Shpella e Ariut në Bjeshkët e Zatriqit? Gjenerali që pësoi kolaps nervor u lidh me komandën e ushtrisë serbe në Beograd i befasuar që UÇK -ja kishte pushtuar kuotën gjeografike më të lart mbi qytetin e Rahovecit, ku banonin dhe shumë familje serbe qysh moti? Kush do t’i mbante shënimet? Dëshmitari i vetëm i asaj dite Sabahajdin Cena flet për zëmërimin e gjeneralit serb. Qielli i Rahovecit mori flakë. Shtigjet dhe bulevardi u mbuluan nga breshëri i plumbave. Dukej sikur binte borë verdhane. Nëpër bulevard rrokulliseshin gëzhojat e predhave si të qenë zile cjepësh. Familjet serbe po tërhiqeshin me tanke në drejtim të ish vilës së Rankoviçit në vreshtat e Anadrinisë. Në atë duhi prushi e ashtëzimi kush do të saktësonte se çfarë ndodhi në majën e malit, ku e nisi furtunën Arjan Brahimi, e që u bë copë e grimë. Që këtu fillon legjenda profanërisht, të cilën po e shkruajnë me perin e mëndafshtë zanat e Majës së Shkodranit. Tragjedia kokolepset. Thuhet se artilierët serb e qëlluan celulën e Arjan Brahimit dhe me raketa. Nuk mbeti asnjë lidhëse këpuce si dokument, ku me të epërmet fjalë të shkruhej e të rijetohej gjëma e Arjan Brahimit.

Jemi në majën e malit të Rahovecit, të cilin vendasit legjendarisht e kanë pagëzuar me emrin Maja e Shkodranit. Aty është vrarë trimi i UÇK – së nga qyteti i Shkodrës Arjan Brahimi. Mahitë e shkrimit, edhe në majën më të epërme, gjithaq, nuk e mbajnë dot prijetarin e lavdishëm të luftës së Kosovës Arjan Brahimi si një nga ikonat e çlirimit të Rahovecit. Megjithëse nuk ka informacione të plota besohet se shkodrani emigrant mbrriti nga Gjermania në shtabin e luftës në Rahovec rreth datës 26 prill 1999 kur kishte nisur fushata e bombardimeve të NATO -s. Por thuhet gjithashtu se Arjan Brahimi mundet të ketë ardhur edhe më herët në Kosovë. Arjani u shua si një meteor dhe shokët që patën të njëjtin lakadredh fati nuk lanë ndonjë gjë të shkruar. Megjithë qumështin e miqësisë së rahovecasve për trimin nga Shkodra nga gryka e atyre burrave fjalët nuk e zmadhojnë jetën e Arjanit, që e përpinë predhat e artilerisë së ushtrisë së Millosheviçit. Vendasit enigmën dhe misterin e pashoq nuk e ngasin.

– Prej qyetit të Rahovecit kishin sjell bocetin për monumentin kushtuar djaloshit nga Shkodra, që e dha jetën për lirinë e Kosovës. Me skulptorin dhe miqtë e mi po bënim debat se në cilin drejtim do të vështronte dëshmori kur të vendosej monumenti i Arjan Brahimit. Shumica mendonin se ai duhet ta kishte vështrimin mbi qytetin e Rahovecit. Që ditën që erdhi nga Gjermania, ku Arjan Brahimi punonte si emigrant, dhe u rreshtua me njësitet e UÇK – së, ai mbronte që nga lartësia qytetin e Rahovecit. Shumë qytetar nuk kishin ikur si refugjat në Shqipëri. Shumica qenë pleq, fëmijë, gra dhe invalid. Prej lartësisë Arjan Brahimi mbronte me artileri civilët në zgrip të humnerës. Në debat e sipër edhe skulptori këmbëngulte që heroi nga Shkodra kur të kthehej në monument, e të vendosej në vendin ku u vra, të drejtohej me fytyrë mbi qytetin e bukur të Rahovecit. U ulëm nën hijen e lisave dhe e lam Arjan Brahimin të meditonte që nga boceti. Po binte muzgu dhe duhej të vendosnim se ku duhej vendosur fillimisht basoreljevi. Nuk kishte kohë. U ngritëm si nga një gjëmim. Fjalën e mori skulptori. Pamjen e monumentit të Arjan Brahimit nuk do ta vendosim me vështrim mbi Rahovec tha ai. Por përkundruall nga mali i Zatriqit e që ngjajnë si dy vëllezër me Majën e Shkodranit. Prej nga shpati i malit përballë ushtria serbe e qëlloi me artileri të rëndë luftëtarin Arjan Brahimin dhe e dogji të gjallë. E bëri grimca dheu. Pra, Arjan Brahimi në monument të vigjiloj andej nga e granatuan serbët. Prej atij krahu na ka ardhur e keqja në shekuj. Edhe kjo që po i ndodh Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe UÇK – së i ka kthetrat nga ai krah. Prandaj monumeti i Arjan Brahimit nga drejtimi i Serbisë t’i mbaj sytë. Edhe në të ardhmen prej andej do të na vij e keqja. Të mos lëshojmë pe. T’i bëjmë sytë katër. Dhe kështu u vendos. Monumeti Arjan Brahimit kur të përfundonte do të vendosjej me pamje nga mali, ku artileria serbe vrau luftëtarin nga Shkodra dhe masakroi shumë të tjerë. Po punohet edhe për një kompleks tjetër monumental. Festën e inagurimit do ta bëjmë në një kohë tjetër.

Kam lexuar qindra histori dëshmorësh në Kosovë e Shqipëri. Natyrisht që janë tragjike se e kanë humbur jetën. Gjithsesi janë me fat. Kujtohen në jetë të jetëve. Një varg epik për të rënët thotë: – “Vitet tutje, ju tëhu!”. Çdo dëshmor ka biografinë e tij e që është një libër me vete. Historitë janë të ndryshme. Për dëshmorët shkruhen libra, xhirohen filma, kompozohen këngë, bëhen piktura, ngrihen monumente, emërtohen rrugë dhe famijarët u vënë fëmijëve emrat e tyre. Bëmat janë të shumta. Por ka dhe dëshmorë si Arjan Brahimi nga Shokdra që u vra në luftën për çlirimin e Kosovës e për të s’është shkruar ndonjë vepër. As emri nuk i përmendet. Dëshmori Arjan Brahimi ka hyrë në histori në mënyrën më të çuditëshme. Ai u vra në malin e Rahovecit në kreshtën me ballin mbi shqiponjat. Në mënyrë të vetvetishme pas vrasjes së Arjan Brahimit nuk përmendet më emri i malit. Rahovecasit i thonë shkurt: – Maja e Shkodranit. Emri Maja e Shkodranit nuk u firmos me ndonjë vendim të komunës apo të qeverisë së Kosovës. Por pikërisht aty ku u vra Arjan Brahimi vendin populli e quajti Maja e Shkodranit. Ajo majë mali s’ka pasur asgjë të veçantë. Shkëmbinj, pyll me lisa, ushtri me shpend, erëra që grinden papushim dhe kafshë të egra pambarim. Në atë majë mali askush nuk kishte punë. Por me vrasjen e Arjan Brahimit maja e malit mori tjetër pamje. Çdo vizitor që shkon në Rahovec është e pamundur që të mos ngjitet tek Maja e Shkodranit. Rahovecasit nuk e kishin menduar se në qafën e thepit më të lart të malit, ku grindeshin erërat, thundronin kaprojt dhe kusinin ujqërit do të vinte një ditë e ajo majë do të kthehej në Mekë. Vizitorët nga do që vijnë do të ngjiten tek vendi i shenjtë i emëruar nga populli si Maja e Shkodranit. Ju betohem lexuesve të mi se i kam parë vizitorët tek marin te Maja e Shkodranit gur jeshil, lule, çaj, rigon, gjethe lisi, një grusht dhe, lëkurë gjarpëri, lëvozhga vezësh shpendësh, kokra molle të egra, pendë zogu, kafka ariu e çdo shenjë të thjeshtë, që ta kenë si kujtim nga Maja e Shkodranit, ku është vrarë si ushtar i UÇK – së djaloshi nga Shkodra Arjan Brahimi. Këto sende si të qenë diamante i çojnë deri në Amerikë e Australi. Tek Maja e Shkodranit vijnë të dashuruarit, grupe turistësh nga e gjithë bota, bëhen fotografi, këngëtarët bëjnë vidjoklipe, shtrohen bankete, pajtohen gjaqe dhe vijnë shkolla që nga Tirana e Prishtina për eskursion. Për aty pronontohen hotele me grupe vizitorësh dhe gjejnë ngushëllim familjarët e të zhdukurve nga serbët gjatë luftës.

Në Majën e Shkodranit në çdo orë të ditës ka festë. Në kreshtën që ka formën e kokës së shqiponjës ka pasur vetëm rrugë të verbëra për bishat e malit. Pas vrasjes së Arjan Brahimit rahovecasit ndërtuan një rrugë të re që gjarpëron nëpër pyjet me lisa e krijon aty ku u vra Arjani një shetitore si të qe bulevardi në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë. Janë rregulluar llogoret ku luftoi Arjani. Janë hapur gjithashtu sheshe për të parkuar makinat për vizitorët. Në kohë të mirë të ardhurit shpërndahen nëpër pyll e me mezet që kanë marë me vete nën hijet e lisave dhe të gorricave pinë verë dhe raki Rahoveci. Këndohen këngë për Majën e Shkodranit. Për një gjë habitem. Të gjithë njerëzit që vijnë aty flasin vetëm për Majën e Shkodranit dhe askush s’fletë për Arjan Brahimin. I thashë një vizitori nga Hollanda se unë nuk njoh ndonjë njeri që emrin ta ketë “Maja” dhe mbiemrin “Shkodrani”. Heroi që është vrarë këtu quhet Arjan Brahimi dhe është nga lagja “Skënderbej” e qytetit të Shkodrës. E megjithatë si miku nga Hollanda dhe të tjerët nuk flasin për Arjan Brahimin. Jo. Askush nuk pyet për ushtarin Arjan Brahimi. Biografia gjendet tek Maja e Shkodranit. Pasi serbët e qëlluan me topa e murtaja që nga mali i Zatriqit Arjan Brahimit nuk ju gjet asnjë shenjë. Qoftë dhe një kockë. Hiri i tij u shpërnda nëpër malin e egër. Është gjë e rrallë që librin e fatit të një njeriu ta shkruaj vetë mali.

Vështroj poshtë mbi qytetin e Rahovecit. Jam me miqtë e mi Smajl Latifi, Dervish Çadraku, Hasan Dulaj e Durim Gashi. Me kë më ngjan Rahoveci e pyes veten? E krahasoj me Kalanë e Rozafës mbi qyetetin e shkodrës. Jo. Kalaja e Rozafës është kodër e ulët po ta matësh me malin e Rahovecit. Atëherë jam në Tarabosh përpiqem t’i mbush mendjen vetes. E prapë krahasimi çapon. Unë jam rritur në qytetet e jugut të Shqipërisë. Dhe tek meditoj Maja e Shkodranit më ngjan me Gjirokastrën. E imagjinoj veten në një nga çupejkat shkëmbore të Malit të Gjerë. Sa shumë që ngjan Rahoveci me Gjirokastrën e gurtë. E prapë shpirti nuk dëndet. Mos i qaset lartësisë së Kaninës mbi qytetin e Vlorës? Ndofta. Të gjithë qytetet që përmenda kanë heronjtë e tyre. I marë me rradhë. Por asnjëri nuk ngjan me heroin e Majës së Shkodranit, Arjan Brahimin. Asnjë mal në Shqipëri e Kosovë nuk ja ka falur emrin kurkujt edhe njerëzve, të cilët kanë qenë legjendar. Kjo ndodhi vetëm me malin mbi Rahovec. Ai ja dhuroi emrin luftëtarit nga Shkodra Arjan Brahimi, i cili qe ushtar i UÇK – së. E ndjej që emocionet më kanë vënë përpara. Dua të di detaje për Arjan Brahimin? Po kë të pyes. Ai u vra nga artileria serbe dhe ushtarët e UÇK –së të cilët ishin me të gjithashtu u bën shkrumb e hi. As miqtë që më shoqërojnë nuk dinë hollësira. Artileria serbe që nga Lugu i Ariut në malin e Zatriqit nuk u la asnjë kockë e asnjë fill nga teshat e UÇK -së që ata kishin veshur. Diçka nuk shkon. Po armët që kishte Arjan Brahimi me uçkistët ku janë? Kush qe i pari rahovecas që mbrriti ku u shua Arjan Brahimi? Si e ka emrin? Pse nuk flet? Ndihem keq. Maja e malit që tani thirret Maja e Shkodranit nuk është udhëkryq. Kurkund nuk ka udhë. Qafa në formën e një meteori nuk të “dhuron” asgjë. Edhe lisat, bredhat, frashëri, shkoza, dhe gorricat grumbullore çoç kanë parë ditën kur predhat serbe shuan një nga njësitet e fuqishme që mbronte Rahovecin. Jam i mundur nga mungesa e fakteve. Dhe herë në këmbë, herë këmbadorazi e herë me zvarritje nëpër pyll kërkoj gjurmët e Arjan Brahimit. Prek me duar lisat, gurët, plisat e fijat e barit. Zogjtë nëpër degë tremben prej meje e sikur më vështrojnë me inat. Ç’dua unë në foletë e tyre? Vetëm fluturat shumëngjyrëshe më rrethojnë në formën e një parashute, e cila depërton nëpër honet e pyllit më të vizituar në Kosovë. Domosdo që pyllit i ka humbur qetësia. Tani mysafirët e tij nuk janë ciklonet dhe egërsirat. Jo. Maja e Shkodranit gjëmon nga njerëzit të cilët vijnë nga të katër anët. Pylli nuk flet. As gurët. Po ata shkëlqejnë përpara pelegrinëve që nderojnë ushtarët e UÇK -së. Më bën përshtypje se “krushqit” nuk këpusin asnjë gjë me duart e tyre. Mbjellin pemë, lule. Çdo njeri mbjell një bredh për Arjan Brahimin. Dhe bredhat shtohen për ditë. Megjithëse kompozicioni i pyllit ja ka ndryshuar pikturën e ngjyrave. Edhe lisat, edhe bredhat i zgjasin çukat drejt diellit. Janë të lirë. Lirinë e sollën Arjan Brahimi me trimat e tjerë.

Dy shkrimtar nga Rahoveci Qemajl Krasniqi dhe Agron Limani kanë mote që mbledhin fakte mbi udbashët, të cilët kan bërë krime ndaj popullisisë së pambrojtur të Luginës së Drinit të Bardhë. Shkrimtari Agron Limani ka humbur babain, vëllanë, xhaxhain dhe një kushëri invalid. Ata më dhurojnë librin që kanë botuar. Bëhet fjalë për familje e fise të zhdukura. Mijëra njerëz të cilët nuk gjenden. Fusha që nuk mbillen se janë spërkatur me lëndë helmuese. Bjeshkë të minuara e varreza masive të pazbuluara. Një detaj më le mbresë. Asnjë fjalë nuk flitet për Arjan Brahimin. Nuk nguroj dhe i pyes të dy autorët e librit. Si është e mundur u them. Është fare e thjeshtë më përgjigjen. Arjan Brahimi është në çdo qelizë të komunës së Rahovecit. Në faqet e malit është biografia e tij, është qyteti i Shkodrës, ku lindi, Gjermania ku punoi si emigrant dhe Lugu i Gjeraqinës, ku luftoi dhe me hirin e tij tani rrit pyllin e malit. Nuk e nxë jetën e Arjan Brahimit asnjë libër dhe asnjë dokumentar. Si mund të futet një mal në fletët e një libri? Për të janë bërë disa bocete dhe skulptorët nuk janë të kënaqur. E kemi të pamundur thonë ata. Nuk gdhendet madhështia e Arjan Brahimit. S’di ç’të them. Prej Anadrinisë ngjtet një mjegull ngjyrë mjalti. Sa pamje magjepsëse. Por nën mjegullën ngjyrë mjalti rëndojnë krimet e serbëve. Nuk kam dëshirë që mjegulla ta mbuloj Majën e Shkodranit.

I shkela me këmbë të gjitha viset ku ka luftuar Arjan Brahimi. Edhe në Ravec, në Udhën e Burimit, në Tumbat e Hamzagës, Pajatën e Pashës, Rrasat e Rahovecit, Lugjet e Verdha, Lugu i Gjeraqinës, Kroi i Asmanikës, Varrezat serbe, Lajthishtet, Mulliri i Vehapëve e deri tek Arat e Mbretit. Udhëve sikur dëgjoj një zë. Mos është zëri i Arjan Brahimit i them vetes? Por unë nuk e pata takuar kurrë djaloshin nga Shkodra. Historjani nga Rahoveci Sabahajdin Cena me zërin e rrëfimtarit e me dallgët e ndjenjave flet për heroizmin e Abdullah Bugarit e të Xhelal Hajdas (Toni). Ka një teknik të hatashme në të treguar. Abdullah Bugari mori drejtimin e forcave të emërtuara metaforikisht nga shtabi si “Dallëndyshet e Para” të UÇK -së. Xhelal Hajda u caktua komandanti i kompanisë. Nga çdo nerv i historjanit Cena me shqisa të mprehta dhe esllëk përshkruhet çdo molekulë e betejës në Lugun e Gjeraqinës dhe në çdo shteg e hon. Por historjani me natyrë përshkruese e thotë se Arjan Brahimi në të gjitha betejat e mbante të veshur uniformën e UÇK -së. As në Rahovec dhe as në Shkodër nuk gjeta ndonjë foto të tij. Ndjej një boshllëk. Më tregojnë se në një takim me Hashim Thaçin tek Pajatat e Pashës Arjan Brahimi ka qenë me uniformën e UÇK –së me gjithë trupën që luftonte për të çliruar Rahovecin. Nuk e dimë nëse do të gjendet tek ndonjë luftëtar ndonjë foto me uniformën ushtarake e Arjan Brahimit. Por ai nuk njihej shumë dhe kam frikë se asnjë nga fotot e tij nuk do të gjendet. Nga natyra Arjan Brahimi qe i heshtur. Fliste vetëm me artileri për të mbrojtur Rahovecin nga bombardimet e ushtrisë së Millosheviçit. Tek Lugu i Gjeraqinës sikur erdha në vete. Një lis i gjatë me kokën mbi retë e Rahovecit m’u duk sikur po ma bënte me dorë. Lisi i bukur më thirri: – Unë jam Arjan Brahimi. I thoni nënës time Havasë të vij e të pushoj pak nën hijen time. Jam lisi i lirisë. Nuk kam kërkuar fat tjetër. – – Isha vetëm me skulptorin dhe u ulëm nën hijen e lisit shpatullgjerë. Arjan Brahimi është shndërruar në një lis Rahoveci thashë unë. Pastaj skulptori me sytë nga lisi madhështor nisi të recitoj disa vargje të Gëtes: – /Lis aq i madh sa kalit i duhen 100 vjet/ /T’i dal tej hijes së tia/. Po jetoja çaste dehjeje. Jeta e njeriut harbon si era nëpër degët e lisit me kokën në yjet e qiellit. Vepra mbetet. Askush nuk flet për moshatarët e Arjan Brahimit që jetojnë në Shkodër dhe nëpër botë. Arjan Brahimi qe me fat. Një mal ndërroj emrin me të. Në qetësi po dëgjonim me skulptorin një rapsod, që po këndonte mbi lisin e madh. Rapsodi po këndon një këngë për Arjan Brahimin tha skulptori. Por rapsodi nuk po dukej. Unë e puthis veshin pas trungut të lisit dhe po përpiqesha të shkëpusja nga kënga ndonjë varg. Po kënga ishte e gjatë dhe ajo e kishte trazuar qetësinë e pyllit tek Maja e Shkodranit. Rasodi i këndonte trimit nga Shkodra. Nëpër vargje i këndohej UÇK -së, e fajkoit që mbrojti Rahovecin nga serbët. Vargjet sikur patrullonin nëpër pyllin e paanë. Pas çdo strofe rapsodi përsëriste vargje që mua nuk më pëlqyen. Ato ishin: -/Arjan Brahimi një trim shkodran/ /Në betejën e Rahovecit ka lënë një nom/. Kur në fund të rapsodisë dëgjova fjalën “nom” nuk më erdhi mirë. Fjalën “nom” e përdornin çunat e dikurshëm të rrugës “Bardhyl” në Tiranë. Por pasi u thellova në etimiologjinë e fjalës “nom” u binda se rapsodi ishte në rregull me vargjet e tij. Fjala “nom” sipas fjalorit themeltar të gjuhës shqipe përdoret në ngjarjet që bëjnë fjalë për normat dhe zakonet e vendit. Këtu rrihte vargu i rapsodit “ka lënë një nom” e që i kushtohej trimërisë së Arjan Brahimit. Në këngën e rapsodit mungonin gjuajtjet me artileri. Nuk shihej as dhe era që i bie violinës mbi shkëmb, dhe as shqiponjat që vikasin mbi ciflat e kockave të Arjan Brahimit, as lulet e kuqe që i korrën murtajat, as dhe pyllit që ju prish bukuria. Por pas pak zëri i rapsodit sikur u mek. Mori për nga Penda e Korbit tha skulptori. Nuk më erdhi mirë që rapsodi u largua. Doja të regjistroja vargje nga kënga e tij kushtuar heroit të Rahovecit Arjan Brahimit. Megjithatë isha me fat. E preka rapsodin misterioz. S’kishja më ndonjë enigmë. Këngët e Eposit të Kreshnikëve mbyllen me vragun: – /Kështu m’kan’ than’, atje s’jam kanë/ /Mos me pa’ kan’, nuk kishin thanë//kang’e kam nie, kang’u knoftë//Të drejtin zoti gjithmon’ e pshtoftë/. Ndryshon autorësia. Unë jam këtu ku është vrarë shkodrani Arjan Brahimi dhe një rapsod i çartur këndon nëpër pyll për trimërinë e tij. Por edhe me largimin e rapsodit nuk ndjeva boshllëk. Nëpër çatejt e lisit e që është vet Arjan Brahimi orkestrojnë këngën e tyre ansambli i bilbilave. Gjatë këtyre ditëve në Rahovec bilbilat e qershorit këndonin edhe brenda në qytetin e Rahovecit. Kur po bisedoja në zyrën e kryetarit të komunës, Smajl Latifi, për mundësinë që të gjejmë ndonjë shenjë të Arjan Brahimit dëgjova ngjitur me dritaren këngën e një bilbili. E çuditëshme thashë me vete. Në qytetin e Tiranës nuk afrohen bilbilat. Nuk dua të largohem nga lisi njeri – Arjan Brahimi. Eh sikur të ishte këtu nëna e tija plakë, Havaja. Të fliste shtruar me të birin. Unë kam qenë në Shkodër ku jeton familja e Arjanit. Babai i ka vdekur. I vëllai e mban shtëpinë me një dyqan të vogël. Siguron bukën e gojës. Arjani që ishte emigrant në Gjermani u vra dhe familja mbeti e varfër. Arjani humbi gjithçka. Por fitoi më shumë se ata që me udhë të tërthorta janë bërë milioner. Arjani u ngjit në palat e flamurit të Ismail Qemalit dhe të Isa Boletinit. Nuk është pak të jesh një lis i lirë pa pasur nën hijen tënde pushtuesit serb me tanke e raketa.

Çlirimi i malit të Rahovecit nga forcat e ushtrisë serbe qenë një nga gëzimet më të mëdha për Arjan Brahimin. Qytetin e Rahovecit dhe të gjithë Rrafshin e Drenicës UÇK – ja i kishte në pëllëmbë të dorës. Ditën e zënies së vendit që hyri në histori si Maja e Shkodranit siç tregohet në Rahovec nga heronjtë e asaj kalaje Arjan Brahimi ka folur në radio me Hashim Thaçin që drejtonte në atë kohë nga Gjakova dhe Juniku. Nuk ka folur vetëm Arjani, por dhe trimat e tjerë që ishin bashkë me të. Thonë se Hashim Thaçi vikaste nga gëzimi. Ishte marë Rrasa e Zogut në Koshare dhe kapja e malit e shporrja e serbëve nga pozicionet në malin e Rahovecit ishte një fitore e madhe. Hashim Thaçi u ka thënë luftëtarve se bisedat në radjo po i përgjojnë udbashët, por ata këtë punë kanë. Le të na përgjojnë. Ka filluar rrokullisja e Millosheviçit. Mali i Rahovecit është në duart e UÇK -së. Dhe qytetarët e pambrojtur të Rahovecit janë të sigurtë.

I hedh sytë nga lisi me shumë fustanella. Ai kokën e mban lart si të mbështjellë me qefinin e qiellit. Arjan Brahimi i kthyer në lis më duket sikur më flet i revoltuar. Vështroj lisin e kthyer në ushtar e bie në mendime. Kur nëna e Arjan Brahimit, Havaja, shkeli për herë të parë tek Maja e Shodranit, ku i qe vrarë i biri, dhe nuk gjeti asnjë fill peri nga teshat e djalit ajo nuk e besoi se ai qe vrarë. Mbeti pa mend tek dëgjonte vendasit, të cilët i kishin në majë të gjuhës fjalët “Maja e Shkodranit”. Ç’ishte kjo? Si nuk kishte asnjë shenjë? Si ishte e mundur që i biri Arjan Brahimi i qe bërë erë? Havaja as tani në Shkodër nuk e beson tek vajton rrugicave të Shkodrës. Legjendat nuk mungojnë as në Rahovec. Rapsodi që këndon rreth e rrotull Majës së Shkodranit betohet dhe thotë se e takon Arjan Brahimin. Është thinjur ca thotë rapsodi. Kur erdhi në luftën për çlirimin e Kosovës ai ishte 21 vjeç. E kam takuar qysh atëherë mërmërinë ai. Arjan Brahimi ka treguar rapsodi çdo mbrëmje del aty ku luftoi dhe vështron mbi Rahovec. Ja mer çiftelinë rapsodit dhe këndon një këngë të gjatë shkodrane për atë që i ndodhi kur serbët e qëlluan me artileri, që nga bjeshka e malit të Zatriqit.

I flas lisit në emër. Arjan! Më thuaj se kush shpif kundër dhe UÇK -së. Gjithashtu disa nga miqtë e miqtë e mi që jetojnë nëpër fshatra i kanë telefonuar nga Tribunali i Hagës. Kush janë ata që i kanë spiunuar? Asnjëri prej tyre nuk ka kryer krime. Dhe Arjan Brahimit ashkat e lisit i ngrihen përpjetë si vetullat e burrit në ciklon. Pastaj Arjani nis e më tregon atë baladën e dy vëllezërve, të cilët po qethnin siç thonë tufën me dele tek Mulliri i Vehapëve. Por në qethje e sipër të dy vëllezërit u grindën për hiçgjë. Vëllai i vogël e qëllon vëllain e madh me majën e mprehtë të gërshërës me të cilën po qethte një dash të zi. Dhe vëllai i madh vdiq. Nga dhimbja që ndjeu për të vëllanë, vëllai që e qëlloj me gërshërë, u bë zog nga vajtimi. Qysh atë ditë vëllai i vogël e kërkon të madhin, i cili e kishte emrin Gjon. Kodër më kodër, bjeshkë me bjeshkë, mal më mal e stan më stan thërret GJON……OOOO! Unë e dëgjoj Arjanin e më shkojnë mornica. Gjithë jetën time e kam ndjekur në vendlindjen time thirrjen e zogut Gjon. Është një tingull i dhimbshëm. Herë si këngë e herë si vaj. Kështu do të ndodh dhe me këta njerëz, të cilët përcjellin intriga tek evropjanët edhe për miqtë e mi me të cilët jam në Majën e Shkodranit. Do vij ndoshta një ditë dhe ata si ai zogu Gjon do të kërkojnë gjonërit me emrin Hashim, Kadri, Ramush e me radhë. Skulptori më pyet se përse po mendohem? Ja them shkakun. Dhe ai përlotet. Përse duhet të kemi fatin e atij GJONIT të baldës më thotë ai me dhimbje. Nuk flas. Sonte në muzg tek Maja e Shodranit do të pres mos vjen ai vëllai – zog, i cili kërkon Gjonin që e shpoi me gërshërën me të cilën qethte dhentë. Legjenda e Gjonit ka ardhur në jug nga viset e Kosovës. Emri Gjon nuk përdoret në jug. Por ngjarje si ajo e legjendës me Gjonin janë të njëllojta si në veri dhe në jug.

Në Rahovec, në kafene, në dasma e në morte do të flitet patjetër dhe për Majën e Shkodranit. Edhe kur shporta e tregimeve është shkundur dikush do të thotë diçka të re. Motivi që shtrohet në bisedë mundet të mos i ketë ngjarë fare Arjan Brahimit tek vendi që hyri në histori si Maja e Shkodranit. Por një fabul qoftë dhe e krijuar e lezeton bisedën në odat e Rahovecit. Dhe bisedat fillojnë me fjalinë: Na ishte një trim si Oso Kuka, i cili hypi në Lugun e Gjeraqinës duke fluturuar si dragua. Thonë se qenë dy gjeraqina të Anadrinisë. Njëra gjeraqinë mbante mbi shpinë Arjan Brahimin kurse gjeraqina e dytë mbante armët dhe pasaportën e shkodanit. Të dyja gjeraqinat u bën erë që nga Bjeshka e Zatriqit dhe kanë ra tek Rrasa e Rahovecit. I kanë parë vet artilierët serb të cilët granatonin malin e Rahovecit prej vreshtave të Anadrinisë. Dhe tregimet tiren hollë nga gjalmi i deleve të bjeshkëve në Rrafshin e Drenicës. Dhe rrëfenjat për Arjan Brahimin janë kthyer në një libër shetitës si në kohët e qëmotëshme kur nëpër kulla rrëfehej për Sulejman Vokshin.

admin

Recent Posts

A very rare black leopard was spotted in an Indian wildlife park… Scroll down for the video of this unusual beauty…

In India’s Tadoba National Park, a highly secretive black leopard was recently spotted. The beautiful…

11 months ago

People who say they hate pets but later regret it… See their adorable photos below…

Bringing a new pet into your home isn’t always an easy decision, especially if someone…

11 months ago

After being adopted, blind abandoned kitten can’t stop hugging her new father… See appreciating photos of kitten below…

A kitten, later named June, was spotted by a good citizen in Cape Town, South Africa,…

11 months ago

The saddest cat in the world is now unrecognizable… Read on here to know who is responsible for the change…

Meet BenBen, the Internet’s saddest cat. The kitten was spending his days in an animal…

11 months ago

Cats who nail it when it comes to the reality of our professional lives… Watch the most hilarious photos here…

These kitties have a complete understanding of how we feel about our jobs. Oh my,…

11 months ago

A lonely truck driver takes in an abandoned stray cat…

Meet Paul Robertson and his cat Percy, who are the sweetest couple you’ll ever meet.…

11 months ago